• Language
  • +377(44)-144-062
startup

Fillon PunPun-Startups Battle, TV show më interesant për ndërmarrësi

Postuar më: 14/06/2017

Sot në ambientet e ICK-së në Prishtinë, u mbajt konferenca për shtyp, me ç’rast u prezantua fillimi i TV show-it dhe garës më interesante për biznese të reja, PunPun-Startups Battle, i cili fillon të transmetohet nga e mërkura e ardhshme, në Klan Kosova. Ky format është ideuar nga Kolegji Universum dhe realizohet në partneritet me Trembelat dhe Innovation Center Kosovo ndërsa mbështetet nga GIZ-i Gjerman dhe Banka Ekonomike.

PunPun-Startups Battle, e cila bazohet në modelin e mirënjohur botëror “Get in the Ring” (GITR), do të jetë betejë dhe platformë për 32 biznese të reja dhe inovative të cilat garojnë në mes veti për çmimin e madh prej 10,000 euro. Ky Show ka gjithsej 17 episoda dhe për çdo episod garojnë nga 4 biznese të reja (startup), nga të cilat juria profesionale përzgjedh dy fitues për të vazhduar rrugën në çerekfinale, gjysëmfinale dhe finale. Që të katër finalistët fitojnë çmime të rëndësishme nga ICK dhe Kolegji Universum.
Alejtin Berisha, drejtor ekzekutiv në Kolegjin Universum dhe ideator i Startups Battle foli për rëndësinë e këtij emisioni në inspirimin e të rinjëve për ndërmarrësi dhe misionin e Kolegjit Universum për të përkrahur ndërmarrësinë në të gjitha format. “Në Kolegjin Universum ne besojmë fuqishëm në ndërmarrësi si promotore e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës në Kosovë. Për ne, ndërmarrësi është heroi i vërtët i Kosovës” tha Berisha.
Yll Rugova nga Trembelat tregoi për misionin e tyre me emisionin edukativ PunPun dhe si i kanë bashkuar forcat me Kolegjin Universum dhe ICK-në për të sjellur një format të ri dhe inovativ i cili jo vetëm do të sjellë shumë argëtim në shtëpitë tona por edhe edukim dhe inspirim për ndërmarrësinë. Ai foli mbi përvojen e tyre të pasur me dy edicionet e PunPun dhe kontributin e tyre në këtë bashkëpunim të ri.
Shpend Lila nga ICK foli për rolin e ICK-së në zhvillimin e ndërmarrësisë në Kosovë dhe pse ata i janë bashkuar këtij formati. “Në ICK ne çdo ditë punojmë për të mbështetutur ndërmarrësit e rinj, ndërsa këtë herë kemi vendosur që këtë ta bëjmë edhe përmes një show televiziv, duke rritur kështu ndikimin tonë në Kosovë. Për më shumë ekipet fituese do të inkubohen në ICK, ku do të përfitojnë grante për fillimin e biznesit, si dhe konsulencë, mentorim dhe trajnime të vazhdueshme deri në dy vite” theksoi Lila. Ai foli edhe për përzgjedhjen dhe trajnimin që është duke u bërë me biznese gjatë kësaj jave nga Kolegji Universum dhe ICK në mënyrë që bizneset të cilat prezantojnë në këtë show të jenë sa më të përgatitura.
Ndërsa Gent Fetahaj nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ tregoi arsyet se pse GIZ ka vendosur të mbështes këtë emission, duke treguar edhe për objektivat e GIZ-it gjerman në mbështetje të punësimit, vetëpunësimit dhe inovacionit.
PunPun Startups Battle do të filloj së transmetuari në Klan Kosova nga 21 Qershori dhe do vazhdoj deri me 20 Nëntor në finalen e madhe.

Kthehu
Close