• Language
  • +377(44)-144-062
Vullnetarizmi

Vullnetarizmi si vlerë e shtuar e shoqërisë

Postuar më: 12/03/2018

Studentët e Kolegjit Universum, përveç aktiviteteve akademike, gjatë studimeve ata bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme vullnetare, punë këto që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e shkathtësive të shumta, formësimin e shprehive të punës dhe sigurisht krijimin e bashkëpunimit me njerëz të ndryshëm.

Elitë Bardhi është studentja e vitit të II-të e departamentit Biznes dhe Menaxhment në Kolegjin Universum, e cila është pjesë e një projekti që ka në fokus të rinjtë, kryesisht ata nga zonat rurale të Kosovës, po flasim për “Ambasadorët e Rinj”, projekt ky i iniciuar dhe organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare.

Forumi për Iniciativa Qytetare si target shumë të rëndësishëm të punës e ka rininë dhe sidomos të rinjtë nga zonat me më pak mundësi për aktivizim. Me projektin Ambasadorët e rinj, synohet që të rinjtë të bëhen faktor vendimmarrës në projekte komunitare që vijnë nga grupet joformale, pikërisht nga vendet që ambasadorët e rinj përfaqësojnë. FIQ deri tash ka 26 Ambasadorë në komuna të ndryshme të vendit dhe deri tash me këtë projekt ka realizuar 26 projekte komunitare, që janë të prekshme nga qytetarët.

Gjatë këtij viti, projekti është zhvilluar në Viti dhe Kaçanik, ku paraprakisht dhjetë ambasador janë trajnuar në katër module të rëndësishme sikurse: shkathtësitë e lidershipit, menaxhimi i projekteve, menaxhimi i kohës, mobilizimi dhe informimi i komunitetit. E veçantë e këtij projekti është mundësia që këto njohuri të praktikohen në komunitet, dhe të kenë rezultate të prekshme duke trajtuar nevoja dhe problematika të ndryshme që të rinjtë hasin. Deri më tani është punuar në aktivitetet si: Kaçaniku dhe Vitia me libra, Ulëse për parkun e qytetit në Kaçanik e Viti, Ulëse për stacionin e autobusëve në Kaçanik e Viti si dhe Mini-Kopshti me lodra për fëmijë në fshatin Sllatinë e Poshtme.

Aspekti më i rëndësishëm i projektit është angazhimi dhe qasja proaktive e të rinjve. Ata nëpërmjet vullnetarizmit shikojnë problemet në komunitet me një sy kritik, duke gjetur forma që të kontribuojnë në mënyrë aktive, duke parandaluar problemet, duke ofruar zgjidhje dhe duke zhvilluar një qasje të kontributit në komunitet. Në këtë formë, synohet që të drejtohet energjia e të rinjve drejt ndryshimeve në komunitet!

Për të mësuar më shumë rreth aktiviteteve të tilla, ju lutem ndiqni faqen në facebook, kontaktoni në info@universum-ks.org apo telefononi në +377 44 144 062.

Kthehu
Close